Një 57-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia në pikën kufitare në Morinë.A.B, nga fshati Tërnavë ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), për “vrasje në tentativë në rrethana rënduese” dhe “mbajtja e armëve luftarake”.

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit në Shqipëri, ai do të ekstradohet për veprime të mëtejshme.


“Vihet në pranga me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprat penale “Vrasje e ngelur në tentativë në rrethana rënduese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar: A.B, 57 vjeç, banues në Tërrnave, Kosovë”.

“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK Kosovë, për veprat penale “Vrasje e ngelur në tentativë në rrethana rënduese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës”.

“Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957”.