Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që 43 mijë e 433 euro të jetë shuma më e lartë që mund ta shpenzojnë subjektet politike për fushatë zgjedhore, raporton Llapi.info.

Ky vendim që është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbështetet në listën jo-përfundimtare të votuesve të kësaj komune, sipas së cilës numri i tyre është 86 mijë e 866.

Sipas rregullës zgjedhore të KQZ-së për kufizimin e shpenzimeve të fushatës dhe deklarimit financiar shpenzimi i lejuar është 0.5 euro për votues të regjistruar.

“Nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, në shumën: 43 mijë e 433 euro. Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Sipas listës jopërfundimtare të regjistrit civil numri i votuesve në komunën e Podujevës është: 86 mijë e 866 votues të regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së për medie.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës mbahen më 15 mars. Deri më tani, asnjë kandidat dhe parti politike nuk ka aplikuar për certifikim nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje, gjersa kanë afat vetëm edhe gjashtë ditë për ta bërë një gjë të tillë. Këto zgjedhje do të kushtojnë rreth gjysmë milioni euro./Llapi.info