Një i vdekur dhe katër të lënduar është bilanci i një aksidenti tragjik që ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit në autostradën Marica në Bullgari, 60 kilometra larg kufirit me Turqinë.

Në këtë aksident i vdekur ka mbetur Vebi Shabani, nga fshati Shtedim i Komunës së Podujevës.

Për rastin e rëndë ka folur Mahmut Shabani, xhaxhai i viktimës.

Ai tha se ky grup ka udhëtuar për 20 vjet rresht për tregti në Turqi.

Shabani bëri të ditur se trupi i pajetë i të ndjerit pritet të arrijë sot pasdite në Kosovë.

“Besoj që trupi i të ndjerit nesër (sot) pasdite mundet me mbërrijë, sepse ka disa procedura që duhet të kryhen sepse nuk ka mundësi që kufoma të mbërrij shpejtë. Ne jemi mirënjohës që Ambasada u ka dalë në ndihmë për këtë rast”, ka deklaruar ai.

“Po ne e morëm lajmin diku rreth orës 03:30 të mëngjesit. Ishte lajm i hidhur për familjen tonë. Menjëherë intervenuam për të marrë vesh se si ka ndodhur. Aksidenti ka ndodhur në autostradën 60 kilometra afër kufirit të Turqisë. Ky grup ka shkuar gati çdo javë për 20 vjet për tregti në Turqi.Kjo ishte hera e parë që ai ishte aksidentuar. Ai ishte shofer i shkathët dhe i qetë. Ka ndodhur që brenda javës dy herë ka udhëtuar për Turqi”.

Në këtë aksident janë të lënduar edhe katër persona të tjerë: Hamdi Blaku, Gazmend Lepaja, Fahri Blakqori dhe Resmije Blakqori, të cilët po marrin trajtim në një spital në Bullgari.