Rrugët vazhdojnë të marrin jetë. 29 persona kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni gjatë periudhës janar- prill të këtij viti. Gjatë të njëjtës periudhë janë shkaktuar 4 mijë e 569 aksidente komunikacioni në të gjithë Kosovën.

Policisë së Kosovës thonë se ka ulje të numrit të aksidenteve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por më shumë persona e kanë humbur jetën.

“Vërehet se ne total ka ulje te aksidenteve për -12.37, dhe numrin e tiketave të lëshuara për kundërvajtje të ndryshme”, thuhet në përgjigje të PK-së. Sipas statistikave të policisë, gjatë këtyre muajve 25 aksidente kanë qenë me fatalitet, prej të cilëve aksidente 29 persona kanë vdekur.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, aksidente fatale janë regjistruar 24, një më pak se këtë vit. Aksidente me të lënduar janë regjistruar 1 mijë e 770 të tilla, ku 3 mijë e 570 persona kanë marrë lëndime trupore.

Aksidente me dëme materiale sipas statistikave janë regjistruar 2 mijë e 774. Gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës, ka shqiptuar 118 mijë e 743 tiketa trafiku. Me anë të një përgjigje, zyra e informimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ka thënë se janë duke u aplikuar masa ndëshkuese ligjore me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve të të gjitha llojeve, e në veçanti ato me humbje të jetëve njerëzore.

“Me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor PK-ja vazhdon te apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre”, thuhet në përgjigjen e PK-së. KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për aksidentet në komunikacion.

Profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike drejtimi i komunikacionit, Beqir Hamidi i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se zvogëlimi i numrit të aksidenteve përveç infrastrukturës, duke përfshirë edhe pajisjen me shenja të komunikacionit është stërvitja për patentë shofer.

Sipas tij, kjo e fundit është një faktor shumë dominant në aspektin e komunikacionit rrugor. “Si masë mbrojtëse për zvogëlimin e numrit të aksidenteve përpos infrastrukturës, duke përfshirë pajisjen me shenja të komunikacionit, por mbi të gjitha stërvitja për patentë shoferë është një faktor shumë dominant. Unë si profesor mendoj që duhet të bëhet një rivlerësim ose ritestimi i personave të cilët posedojnë patentë shoferë, edhe pse këtë ka të drejtë ta bëjë vetëm policia”, tha Hamidi për KALLXO.com.

Si profesor dhe njohës i komunikacionit rrugor, profesori Beqir Hamidi tregoi se policia asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmë në aspektin e shtimit të masave të sigurisë tek njohësit e komunikacionit rrugor.

Çështjen e vendosjes së kamerave të sigurisë, Hamidi e konsideron siguri të përgjithshme publike.

“Kjo ka të bëjë me sigurinë kur ndodh diçka të zbulohet si ka ndodhur aksidenti, por nuk është masë preventive për aksidente. Numri i aksidenteve është çështje në të cilën duhet të intervenohet dhe të merren për bazë faktorët paraprakë, shkollimi, preventiva, rregullimi i semaforëve të cilët nuk janë nivelin e duhur”, tha më tutje Hamidi. Shemsedin Hajdari, ekspert i komunikacionit, tha për KALLXO.com se policia duhet të rris edhe më shumë kontrollet në të gjitha pikat që parashihet rreziku.

“Duhet të shtroj numrin e kontrolleve në çdo pikë. Me bo matjen e shpejtësisë me bo matjen e tejkalimit harkimit, këto janë disa masa që mund të ndalojnë aksidentet. Ka shumë pjesëmarrës në trafik që nuk dijnë të rreshtohen policia duhet ti monitoroj vazhdimisht, pjesëmarrësit në komunikacion”, tha Hajdari.

Ai shtoi se kamera sigurie duhet të vendosen në udhëkryqe, në rrugë ku zhvillohet shpejtësia e madhe. Sipas tij kjo i lejohet policisë dhe ata mund ta provojnë një gjë të tillë. I pyetur në lidhje me bashkëpunimin mes policisë dhe njohësve të sigurisë e komunikacionit, Hajdari theksoi se një gjë nuk ka ndodhur deri më tani.

“Policia për fat të keq nuk ka kërkuar ndihmë nga ne, në mënyrë që të analizohen e të diskutohen problemet që mund të hasen në komunikacion. Me ardh me bo identifikimin e faktorëve dhe me bashkëpunu me neve, fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur”, tha eksperti i komunikacionit.