Një rast i ri me COVID-19 është konfirmuar sot në Komunën e Podujevës, pas tri testimeve të bëra në këtë rajon, raporton Llapi.info.

Rasti i ri është nga fshati Buricë dhe i njëjti është bashkatdhetar nga Gjermania. Ky rast nuk përkon me rastet e mëparshme në këtë komunë, por që s’ka as simptoma. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.

“Është një rast i ri nga fshati Buricë. Është rast pa simptoma dhe pa kontakte. Mirëpo, ai është testuar vetëm pse është kusht për t’u testuar për të udhëtuar në Gjermani se ai ka ardhur nga ky vend. I njëjti është testuar për të qëlluar rezultati. Ai ka ardhur që disa javë këtu dhe ka pasur për t’u nisur në Gjermani. Pra, vlen të përmendet se ai ka qenë pa simptoma. Tri testime kanë qenë sot nga kjo komunë, dy negativë dhe një pozitiv”, ka thënë Rama.

Anëtarja e Shtabit Emergjent në Podujevë ka thënë se numri i rasteve aktive në këtë komunë ka arritur në 29. Rama ka theksuar se në QKMF-në e  Podujevës pritet të nisë testimi për COVID-19, ndërkohë që mostrat e të testuarve do të dërgohen në Institut.

“Tetë pacientë i kemi në Prishtinë. Katër në Pulomolgji, katër të tjerë në Klinën Infektive. Gjendja e tyre është në përmirësim, kurse këta të tjerët që janë në vetë-izolim shtëpiak janë me gjendje të mirë dhe stabile. Këta të fundit i kemi nën mbikëqyrje, disa kanë simptoma e disa jo”, ka thënë Rama.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar të mërkurën 113 raste të reja me virusin korona, pas kryerjes së 266 testeve.

Në po këtë ditë, nga COVID-19 janë shëruar edhe 67 pacientë, duke e çuar numrin total të tyre në 1,644, kurse raste aktive 1.293.

Që nga mesi i marsit, kur edhe janë konfirmuar rastet e para, autoritetet kosovare deri më tani kanë regjistruar 2,991 të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 54 pacientë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info