28 Nëntori, ndjenja më e thellë shpirtërore e shqiptarëve

Shkruan: Florim Zeqa

Salla e madhe në Paderno (TV), e dekoruar me flamuj kombëtar dhe portrete të figurave historike që shpallën pavarësinë e Shqipërisë më 1912-n në Vlorën e Ismajl Qemajlit, kësaj radhe ishte e vogël për pjesmarrjen e qindëra bashkatdhetarëve të ardhur nga të gjitha anët e pjesës veriore të Italisë.

Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, shqiptarët e bashkuar nga të gjitha trevat etnike festuan në mëyrë madheshtore 103 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Pas intonimit të himnit kombëtar nga nxënësit e mësimit plotësues të shkollës shqipe në Paderno (TV) nën dirigjimin e mësueses Malësore Shaqiri, manifestimin e hapi, moderatorja Miradije Avdullahi, e cila pas përshendetjes dhe urimit për 103 vjetorin e pavarësisë, ndër të tjera theksoi; “Kjo sallë këtu, sot e mbushur me ju, është e madhe por njëkohësisht shumë e vogël për të zënë gjithë mallin dhe dashurinë që kemi për atdheun tonë të shtrenjtë, për Shqipërinë dhe Flamurin e shkruar me shkronja gjaku shekuj e shekuj më parë….për të vazhduar me vargjet origjinale të Isamil Qemajlit:

Buzë detit brenda në Vlorë
Shqipërisë do i vëmë kurorë
Do vijnë krushq, do vijnë dasmorë,
Me flamuj të kuq në dorë”.

Pas këtyre vargjeve, moderatorja Miradije Avdullahi fillimisht për një fjalë rasti e ftoi nikoqiren e këtij manifestimi, presidenten e shoqatës ILIRIA, avokaten Ermira Zhuri, e cili i falenderoj për pjesmarrje të gjithë të pranishmit në manifestim duke ua uruar ditën e Flamurit dhe 103 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Më pas, ndihmës moderatori Halit Cikaqi përshendeti mysafirët e nderit në këtë manifestim; Elis Badalli (drejtues i divizionit për rini sport dhe kulturë në Ministrinë e Diasporës), Ramadan Mramori (drejtues i divizionit për hartimin e planit për regjistrimin e mërgatës, poashtu nga Ministria e Diasporës) dhe Florim Zeqa (gazetar dhe analist i pavarur).

Pas fjalëve përshendetëse të mysafirëve, me një fjalë përshendetëse u paraqiten veprimtarja Mardena Kelmendi dhe përfaqësuesi i shoqatës “Nënë Tereza” nga Portogruaro, zoti Rizah Hykolli.

Në vazhdim, mësuesja e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, zonja Malësore Shaqiri, pasi ua uroj të pranishmëve 28 Nëntorin, më pas foli për mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollën shqipe në Paderno (TV).

Radha i erdhi edhe programit të pasur artistik, duke filluar me këngën për flamurin të kënduar me pasion dhe dashuri nga rapsodi i mirënjohur shqiptar Gjovalin Shani.

Më pas, në skenë u ftua këngëtarja e ardhur enkas në këtë manifestim nga Theranda, e madhja Dafina Morina me zërin e saj, sa të bukur po aq tërheqës për adhuruesit e këngës së bukur shqipe,…e cila fillimisht prezantoi me një këngë patriotike, për të vazhduar më pas me një potpuri popullore, e cila u përcjellë me ovacione dhe duartrokitje të gjata të bashkatdhetarëve të shumtë në sallë.

Me një kengë autoriale për komandantin legjendar Adem Jashari, vjenë në skenë një tjetër rapsod popullor, është ky Gjin Shani (vëllau i Gjovalinit), i cili me zërin e tij të bukur melodik ngjalli emocione të papërshkruara tek të pranishmit në sallë.

Më pas, me një interpretim të mrekullueshëm, me zërin e saj të embël në skenë u paraqit këngëtarja e talentuar Elhame Ahmeti Gyhelli me një potpuri ritmike popullore.

Përpos këngëve, kohë pas kohe në skenë u paraqit edhe grupi i valleve të shoqatës ILIRIA, nën drejtimin e koreografit Muhamet Brezaliu dhe mjeshtrit të vallëzimit, artisti të madh Imri Osmani, i cili me paraqitjet e bukura artistike elektrizoj masen e madhe në sallë.

Kështu këngëtarët disa herë u paraqiten në skenë me kengë të bukura patriotike dhe me motive popullore, sikurse edhe grupi i vallëzimit me valle të bukura nga të gjitha trevat shqiptare, duke ju bashkangjitur në vallëzim të lirë edhe audienca e gjerë, të rinjë dhe të reja shqiptare, prindër dhe nxënës të shkollës shqipe duke i dhënë shije të bukur festës së madhe kombëtare.

Në këtë mbrëmje festive prezent ishin edhe veprimtarët; Agim Mullosmani (përfaqësues i UNIKOMB-it), Ferat Avdullahi dhe profesor Bajram Desku.

Vlenë të theksohet se i gjithë ky manifestim madhështor u organizua nga një staf i gjerë bashkëpuntorësh të shoqatës ILIRIA. Organizimi i shkëlqyeshëm i këtij manifestimi, është rezultat i punës së palodhshme të presidentes Ermira Zhuri dhe dy nënkryetarëve Beqir Cikaqi dhe Mumin Brezaliu, i udhëhequr në mënyrë briliante nga moderatorja, poetja e njohur Miradije Avdullahi dhe Halit Cikaqi.

Kontribut të çmuar në zërim dhanë instrumentalistët Dj. Lami dhe Roland Çukaj.
Manifestimit qendror për ditën e flamurit i paraprinë edhe dy organizime tjera: darka festive me 27 nëntor në Chioggia (Ve) dhe ajo me prindër dhe nxënës të shkollës shqipe në Paderno me 28 nëntor.
Nga ky manifestim, u vërtetua edhe një herë, se nuk ka vlerë asnjë lloj ideologjie partiake,…ka vlerë kombi ynë, ka vlerë ndjenja jonë shpirtërore, ka vlerë qëllimi ynë fisnik i bashkimit të trojeve etnike.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

12305887_995384343836684_1110305818_n

12277163_995386607169791_965971798_n

12301672_1509750382687496_7799909340937647396_n