Sot janë bërë 22 vjet nga rënia heroike e heronjve Esat Berisha dhe Jetullah Islami, njofton Llapi.info.

Berisha e profesori Islami ranë heroikisht në mbrojtje të atdheut më 2 qershor të vitit 1999 në fshatin Dyz të Podujevës.

Jetulla Islami, gjatë ndjekjes së studimeve, punoi si arsimtar në shumë shkolla fillore si në fshatrat: Prapashticë, Koliq, Dyz e në fshatra tjera.

Shpërthimi i revoltave popullore në Kosovë, në mars – prill 1981 e përfshinë edhe Jetullahun. Ishte ndër më aktivët, ndaj edhe arrestohet më 16 maj 1981. Dënohet me 60 ditë burg, pasi nuk mundën ta thyenin, por vetëm pse ishte evidencuar në krye të masave demonstruese.

Nëntë vjet rresht detyrohet të shkëputet nga jeta e mësuesit dhe punon privatisht, duke kryer punë nga më të ndryshmet, derisa krijohet pushteti paralel në Kosovë. Kështu, në vjeshtën e vitit 1991 rikthehet në profesionin e tij, arsimtar, si dhe rifillon studimet në Universitet, të cilin e përfundon në vitin 1993.

Më 28 prill 1999, në rajonin Lupç-Majac-Llapashticë ishin përqendruar mbi 50 mijë banorë, pleq, gra e fëmijë. Ushtria serbe kishte filluar ofensivën në këtë drejtim.

Më 2 qershor 1999, njësitit, që komandohej nga Jetullahu, i vjen lajmi se forcat serbe ishin nisur në drejtim të fshatit Dyz. Ai, pasi ndan detyrat për zënien e shtigjeve, vetë niset për t’i dalë ushtrisë serbe në drejtimin jugor të fshatit, me qëllim që t’u jepnin kohë forcave të tjera të Brigadës 153 të zinin vijat e mbrojtjes në mënyrë të organizuar. Në këtë betejë nga snajperistët e barbarëve serbë, në këtë datë u vra profesori dhe atdhedashësi, Jetullah Islami së bashku me Esat Berishën.

Mësuesi i historisë së popullit shqiptar që fliste për lirinë, Jetullah Islami, pas plot 10 muajve lufte të armatosur, 10 ditë para se të mbushte 50 vjeç, 10 ditë para se forcat serbe të tërhiqeshin përfundimisht nga Kosova, u nda nga jeta.