Gjatë ditës së mërkurë (12 qershor) në Prishtinë është shënuar 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe çlirimi i vendit.

Përveç ish-presidentit amerikan, në shënimin e kësaj ngjarje të rëndësishme në Kosovë kanë qëndruar personalitete të ndryshme ndërkombëtare, si ish-sekretarja Amerikane të Shtetit, Madeline Albright dhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Gjithashtu, kanë qenë edhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria dhe nga vende tjera të rajonit dhe të botës.

Tubimi qendror i shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, është mbajtur në sheshin Skënderbeu në kryeqytet.

Ish-presidenti amerikan, para mijëra qytetarëve tha se i pëlqen Kosova dhe se gjithmonë do të jetë nder në jetën e tij që ka qëndruar me kosovarët kundër spastrimit etnik.

Dhe lidhur me këto aktivitete kanë raportuar edhe media prestigjioze ndërkombëtare, përcjell Telegrafi.

Një nga to është edhe mediumi prestigjioz britanik, Independent, sipas të cilit, në ceremoni mungonte ish-kryeministri britanik Tony Blair, i konsideruar gjerësisht si një arkitekt kryesor i aksionit perëndimor kundër Serbisë.

Gjithashtu, rreth vizitës së ish-presidentit amerikan ka shkruar edhe mediumi francez “France24”, sipas të cilit Kosova dekoron Bill Clintonin me “Medaljen e Lirisë”.

Edhe mediumi turk, Anadoly Agency ka shkruar për vizitën e Trump dhe Albright në Kosovë, si dhe ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

“Kosova shënon 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s”, shkruan në titullin e këtij mediumi, përcjell Telegrafi.

Ndërsa mediumi spanjoll La Vanguardia e ka quajtur ish-presidentin amerikan “president” të Kosovës.

Por një ceremoni e tillë, përkatësisht vizita e personaliteteve të larta botërore nuk u ka ikur as mediave ruse.

Sipas mediumit rus, të afërt me pushtetin atje, Russia Today, në këtë ceremoni, përkatësisht në këto vizita kishte “diçka të tepruar”.

“Shumë idhujtari? Kosova nderon Clinton dhe Albright në përvjetorin e luftës së vitit 1999”, shkruan në titullin e mediumit rus.