Pandemia Covid-19 vazhdon të përhapet nëpër botë dhe shifrat janë të frikshme, duke u rritur nga ora në orë.

Sipas të dhënave të mëngjesit të së enjtes, janë gati gjysmë milioni njerëz të infektuar (471.759), mbi 21 mijë (21.297) të vdekur si pasojë e koronavirusit dhe 2.3 miliardë të izoluar në një formë.

Situata më e rëndë mbetët në Itali, me numrin më të madh të vdekjeve në botë – 7.503. Por në ditët e fundit, ka tendencë që numri të ulet. Janë 74.386 raste me infeksion, që e bën vendi ne dytë në botë për nga numri i të prekurve pas Kinës që ka regjistruar 81.285 raste. Por në këtë vend, ka ditë që Covid-19 është “nën kontroll”. Në Kinë, ku edhe ka shpërthyer ky virus, kanë vdekur 3.287 persona.

E Kinën, për nga numri i vdekjeve, mbrëmë, e ka kaluar edhe Spanja, që numëron 3.647 të vdekur si pasojë e koronavirusit. Në Spanjë, deri më tash janë 49.515 të infektuar.

Situata gjithnjë e më keq po bëhet në SHBA. Tashmë janë 68.489 të infektuar dhe 1.032 të vdekur. Në SHBA po rritet sidomos numri i të infektuarve dhe kjo ka shqetësuar mjekët dhe institucionet e këtij vendi.

“Në fillim i kishim disa pacientë, e më vonë erdhi tmerri. Nuk kemi mjaftueshëm respiratorë e shtretër, ndërkohë në New York situata është pabesueshme. Po dukemi si një shtet i botës së tretë, është vështirë të pranohet kjo”, ka thënë një mjek në kushte anonimiteti për CNN.

Sipas tij, vetë, New Yorkut i duhen edhe 30.000 respiratorë për të përballuar pandeminë. Më herët i kishte 4.000, e ndërkohë i siguroi edhe 9.000.

“E vërtetë, por neve na duhen edhe 30.000”, tha mjeku, përcjell CNN.