Luan Bernjashi, fëmija 14-vjeçar që u mbyt të mërkurën nga babai i tij duke u rrahur me shkop të drurit do të varroset sot rreth orës 17:00.

Ramadan Guda, drejtori i shkollës “Asllan Thaçi”, aty ku Luani po vijonte mësimet në klasën e tetë ka shprehur ngushëllimet familjes Bernjashi dhe nxënësve të shkollës, shkruan Insajderi.

“Në emër të drejtorisë së shkollës i shprehim ngushëllime familjes dhe të gjithë nxënëseve, mësimdhënësve të shkollës sonë. I përjetshëm do mbetet kujtimi për Luanin”, thuhet në ngushëllimin e drejtorit të shkollës.

Babai 60-vjeçar me iniciale G.B nga fshati Karaqevë e Komunës së Kamenicës ka mbytur djalin e tij, L.Bernjashin 14-vjeçar pas rrahjes me shkop të drurit që i ka bërë mbrëmjen e së mërkurës. Insajderi merr vesh se babai kishte mbytur djalin e tij për shkak të dyshimeve se djali i tij i kishte shpenzuar 1 mijë euro.

Gjithë këtë ngjarje babai lypsar nga Kamenica me iniciale G.B ishte munduar ta sajonte, në mënyrë që për vdekjen e të birit të mos e merrte përgjegjësinë. Fillimisht babai kishte rrahur rëndë djalin e tij rreth orës 19, dhe që nuk e kishte dërguar për ndihmë mjekësore.

Ai kishte vendosur ta dërgonte në Qendrën e Mjekësisë Familjare vetëm pas orës 12:00, atëherë kur edhe djali i tij kishte vdekur. Babai para policisë ishte arsyetuar se vdekja e djalit të tij kishte ndodhur për shkak të një aksidenti me një motor. Por që policia nuk kishte rënë në grackën e tij.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës fëmija 14-vjeçar në QKMF të Kamenicës kishte arritur pa shenja jete.