Policia e Kosovës pas sigurimit të informacioneve të bëra publike në një portal më datë 15.04.2021, ku vërehet vozitësi i një kamionete të tipit volkswagen duke kaluar përmes hapësirës gjelbëruese nga një drejtim i rrugës në drejtimin tjetër, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme drejt identifikimit të kundërvajtësit dhe shqiptimit të gjobës sipas dispozitave ligjore.

Siç njofton Policia e Kosovës, vozitësi i cili ishte duke drejtuar mjetin e tij në një rrugë të Prishtinës, duke dashur t’i shmanget pritjes në kolonë, ndërmerr veprim pa u siguruar se i rrezikon apo i pengon pjesëmarrësit e tjerë ne trafik, andaj sipas ligjit 05/L-088 gjobitet me shumë prej 100 euro dhe (1) pikë negative.

“Policia e Kosovës falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunim të ndërsjellët dhe njëherit do të ndërmerr veprime ndaj kundërvajtësve të tillë, me qëllim të parandalimit të kundërvajtjeve dhe ngritjes së sigurisë në trafik. Bashkangjitur keni fotot dhe gjobën e shqiptuar nga zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin e PK-së.