Një vit më parë, futbolli i Kosovës dhe Kosova morën lajmin më të hidhur të mundshëm. Legjenda Fadil Vokrri ndërroi jetë.

Vokrri ishte një prej lojtarëve më të mirë kosovar që kishte zbritur ndonjëherë në fushën e blertë, por edhe absolutisht lideri më i mirë që mund të kishte futbolli i Kosovës.

Ikona e futbollit kosovar bëri punë të palodhshme për të pranuar Kosovën në të gjitha institucionet botërore të futbollit.

Ardhja e tij në krye të FFK-së ndryshoi rrënjësisht rrjedhat në futbollin e Kosovës, duke kulmuar me anëtarësim në UEFA e FIFA.

Vokrri ia doli që të gëzonte edhe disa prej sukseseve të para të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, por për fatin tonë të keq, nuk e përcolli kombëtaren edhe në kampionatet më prestigjioze të futbollit.

Një vit pas vdekjes së Vokrrit, kombëtarja Dardane është një prej kombëtareve më në formë në botën e futbollit, duke shkuar në një seri prej 13 ndeshjeve pa humbje, gjithmonë duke kujtuar legjendën që barte numrin 9.

Vajzat, djemtë, dhe të gjithë sportdashësit e Kosovës po punojnë çdo ditë për ta realizuar ëndrrën e të ndjerit që iku një vit më parë. Kosova është në hapa të drejtë për kualifikimin në Euro 2020, si dhe në Euro U-21.

Kosova gjithmonë do të ketë mall për kryetarin ‘e pavdekshëm’ të FFK – Kosovarët po punojnë për plotësimin e ëndrrës së Vokrrit.