Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Njësia e Inteligjencës Financiare ka ngrirë 1 milion euro, të cilat dyshohet se kanë të bëjnë me shpëlarje parash dhe financim të terrorizmit.

Në mesin e kompanive që përfituan para nga kjo shumë është edhe kompania ndërtimore “Izolimi”.

Pronari i kësaj kompanie tha për Gazetën Sinjali se kanë pranuar një pagesë të dyfishtë nga Universiteti i Prishtinës për një kontratë që kishin arritur për realizimin e një projekti.

Ai thotë se kontrata në fjalë ka pasur vlerën e 101 mijë eurove, por që e njëjta është transferuar dy herë në xhirollogarinë e kësaj kompanie.

Pra brenda dy ditësh, ai thotë se kompania e tij ka pranuar 202 mijë euro për një projekt për realizimin e të cilit kishin arritur marrëveshje me Universitetin e Prishtinës që të jetë 101 mijë euro.

Pagesën e dytë prej 101 mijë eurosh ai thotë se është bërë dy ditë pas pagesës së parë dhe thotë se menjëherë i janë drejtuar me e-mail Universitetit të Prishtinës, si dhe Thesarit të Shtetit.

Ai thotë se kanë kërkuar ndihmë për të mësuar mënyrën se si duhet t’i kthejnë paratë në Thesar.

“Pagesa, me sa më kujtohet ka qenë fundi i muajit të kaluar, fundi i muajit prill. Ne kur i kemi marrë raportet bankare, se i marrim prej secilës bankë, punojmë me tri-katër banka komerciale, aty e kemi vërejtë se është bërë pagesa për projektin e njëjtë. Menjëherë ne ju kemi shkru e-mail Thesarit dhe Universitetit të Prishtinës që ne e kemi vërejtë se është bërë pagesa e dyfishtë dhe kemi shpreh interesimin me e ditë formën, sepse nuk na ka ndodhë asnjëherë, se si me i kthy ne ato pare. Ata na kanë tregu mënyrën se si duhet me i kthy dhe ne ju kemi thanë që deri të premten, deri nesër, i kthejmë mjetet”, tha ai për Sinjalin.

Deri tash ai thotë se kompania e tij ka kthyer një pjesë të madhe të parave dhe se shuma e plotë do të kthehet deri nesër në ora 16:00, ashtu siç thotë se kanë kërkuar nga Thesari.

Ai thotë se transaksionin e dytë e kanë vërejtur dy ditë më vonë dhe se të njëjtin do ta raportonin në Thesarin e Shtetit dhe te universiteti më parë, nëse do ta kishin kuptuar që në momentin kur është realizuar.

“Ne kemi qenë të parët që kemi shkru e-mail, kemi shkru prej e-mail zyrtar të kompanisë dhe e kemi njoftu Thesarin dhe Universitetin e Prishtinës që kemi pranu pagesë të dyfishtë”, tha ai.

Pronari i kompanisë ka premtuar se do ta dërgojë në adresë të Gazetës Sinjali e-mailin që ia ka dërguar Thesarit dhe Universitetit të Prishtinës për t’i njoftuar se kanë pranuar pagesë të dyfishtë.