1.244 artefaktet të Kosovës në Serbi

Zëvendëskryeministri e ministër i Kulturës, Kujtim Shala, është kundër propozimit të Qeverisë së Kosovës që çështja e artefakteve që mbahen në Serbi tash 15 vjet të bisedohet në Bruksel.

Për Shalën ky problem, që e ka trashëguar si ministër e zëvendëskryeministër, nuk ia vlen të jetë temë e bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit.
“Për artefaktet nuk duhet të diskutohet në Bruksel”, ka thënë Shala.
Për 1.244 artefaktet arkeologjike e etnografike që prej viteve 1998-1999 janë në Beograd. Propozimi i tij është përkrahur nga njohësit e trashëgimisë kulturore, por nuk janë përjashtuar as negociatat. Në draftin e temave që Kosova ia ka propozuar Brukselit për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë përmendet edhe kthimi i artefakteve. Në pikën e katërt të këtij drafti, që është hartuar qysh në mars të vitit të kaluar, propozohet kthimi i eksponateve të trashëgimisë kulturore të “marra/huazuara” nga Serbia.
Sipas Arsim Canollit, këshilltar për trashëgimi kulturore i ministrit Shala, artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat “janë grabitur nga Kosova gjatë luftës” janë artefakte për të cilat MKRS-ja nuk dëshiron të hyjë në dialog me Serbinë.
“Ato duhet të kthehen në Kosovë ashtu siç është thënë në Planin e Ahtisaarit ku ceket qartë se ato duhet të kthehen brenda 120 ditëve e nuk janë kthyer fare”, ka thënë Canolli. Sipas tij, si Ministri e Kulturës do të bisedojnë me vendet mike, me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë që këto artefakte të kthehen.
“Nuk pranojmë që për këto artefakte të bisedohet në dialogun që po mbahet në Bruksel”, ka thënë Canolli. Sipas tij, dihet numri i tyre që janë në Serbi dhe janë në studim të mënyrave se si ne duhet të procedohet tutje me dëshmitë se artefaktet janë të Kosovës.
“Dëshmia kryesore është se ato janë grabitur nga institucionet e Kosovës. Huazimi në këto kushte siç janë marrë, është grabitje”, ka thënë Canolli.