Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dha sot një lajm të mirë për ata që presin njohjen e patentave të drejtimit të makinave të tyre në Gjermani, ndërsa theksoi se ajo ka vlerësuar përparimet e bëra në shërbimet digjitale.

Në një reagim kryeministri Rama bën të ditur se ka takuar në Konferencën e Sigurisë në Munih ministrin Federal të Transporteve, i cili tha se “zgjidhjet e reja digjitale që keni realizuar janë origjinale dhe bindëse për t’i përcjellë Qeverisë Federale një opinion pozitiv”.

“Një lajm i mirë për miqtë e kësaj faqeje që presin njohjen e patentave të drejtimit të makinave të tyre në Gjermani. Në Konferencën e Sigurisë në Munih, bisedova edhe me Ministrin Federal të Transporteve, i cili më tha, citoj: “Misioni ynë teknik në Tiranë është befasuar nga transformimet që keni kryer në Drejtorinë e Transportit Rrugor, përmes digjitalizimit të shërbimeve! Zgjidhjet e reja digjitale që keni realizuar janë origjinale dhe bindëse për t’i përcjellë Qeverisë Federale një opinion pozitiv”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se “aprovimi i shumëpritur i njohjes së patentave shqiptare të drejtimit, kalon përmes të 16 parlamenteve të landeve të Republikës Federale të Gjermanisë dhe kjo do të kërkojë pak kohë, por ndërkohë çdo aprovim bën që në landin përkatës njohja të hyjë në fuqi menjëherë. /atsh