Xherdan Shaqiri i ka heshtur të gjithë kritikët e tij përmes paraqitjeve të mira që i ka bërë këtë sezon me Liverpool, ka thënë ish-bashkëlojtari i Shaqirit në ekipin kombëtar të Zvicrës, Tranquillo Barnetta.

Shaqiri iu bashkua skuadrës së Jurgen Kloppit për 14.7 milionë euro, pasi Stoke City ra nga Premierliga në Championship, sezonin e kaluar. Që nga atëherë, ai ka dëshmuar se është një opsion shumë i mirë për fazën e sulmit, transmeton Gazeta Express.

27-vjeçari ka shënuar gjashtë herë në 20 paraqitje me Liverpoolin në Premierligë, përfshirë këtu edhe dy golat e shënuara në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, e cila përfundoi me rezultat 3:1 dhe ia shkaktoi shkarkimin nga pozita e trajnerit Jose Mourinhos.

Shaqiri mbeti në bankën rezervë për ndeshjen e së martës, në Ligën e Kampionëve, kundër ish-klubit të tij, Bayern Munichut, në kuadër të 1/8 të finales.

Megjithatë, Barnetta, i cili kishte luajtur bashkë me Shaqirin në ekipin kombëtar të Zvicrës deri në vitin 2014, kur u pensionua, mendon se futbollisti me origjinë nga Kosova e ka dëshmuar talentin e tij për Kloppin.

“Kur unë luajta me të, ai ishte lojtar i ri dhe tani e ka ngritur nivelin e tij për shumë shkallë. Ai e pati një periudhë të vështirë kur nuk po aktivizohej shumë në ndeshjet, kur ishte lojtar i Bayernit dhe Interit”, ka thënë Barnetta.

“Për këtë arsye, jam shumë i lumtur që ai shkoi në Liverpooli dhe i shfrytëzoi të gjithë mundësitë që i erdhën. Ndoshta shumë njerëz nga jashtë mendonin: ‘Çfarë po bën ai në Liverpool pas Stoke Cityt?’”.

“Por, ai nuk reagoi ndaj këtyre deklaratave dhe i bëri disa paraqitje të mrekullueshme. Tani, mendoj se të gjithë personat e jashtëm kanë heshtur”.

“Ai [Klopp] është një motivues i mirë dhe ai e përjeton futbollin. Për këtë arsye, besoj se ai e nxjerr më të mirën nga lojtarët. Mendoj se Xherdani kishte nevojë për këtë gjë sepse, siç thashë, ai gjithmonë ka pasur talent, por nuk arrinte ta dëshmonte këtë nganjëherë në fushë”.

“Gjatë muajve të fundit, ai ka shfaqur se çfarë mund të bëjë. Ishte shumë e rëndësishme që ai të mos aktivizohet menjëherë dhe tani, në muajt e fundit, na ka treguar se çfarë mund të bëjë”.