Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u ka bërë thirrje qytetarëve të luginës që të ndjehen të sigurtë dhe të mos kenë frikë në marrjen e shërbimeve shëndetësore nga qeveria e Beogradit. Ai tha se prezenca e tij sot në Bujanovc dhe Preshevë duhet të jetë siguri për gjithë këta qytetarë.

Pas takimit me ministrin Armend Zemaj, kryetari i komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi tha se është hera e parë qe vizitohen nga një ministër i Shëndetësisë, duke shtuar se diskutuan për situatën me COVID-19 në komunën e Bujanovcit.

“Ministri na premtoi që në kuadër të shqiptarëve do të ndihmojë sikurse edhe qeveritë e mëparshme, bile ndoshta edhe më shumë. Sa i përket regjistrimit të studenteve në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe Specializimin, shumë shpejt do të hapet konkursi për të rinjtë shqiptarë, ka shprehur dëshirën që në të ardhmen të na ndihmoje edhe në mjetet për luftimin e Covid-19. Është një brengë edhe këtu tek ne por edhe në Kosovë. Duhet qytetarët të vetëdijesohen sepse tani për tani nuk kemi mjete të tjera përveç vetëdijesimit”.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u zotua se me të gjitha kapacitet që ka Qeveria e Kosovës do t’i dalë në ndihmë qytetarëve të Bujanovcit. Dhe që së shpejti të kontribuojnë edhe në ndërtimin e një spitali.

“Duket që kanë edhe pasiguri dhe unë i premtova dhe i sigurova që në kuadër të autoritetit tim si ministër i Shëndetësisë dhe si Qeveri e Kosovës që të kërkojmë nga Qeveria e Beogradit që këto shërbime t’iu ofrohen në mënyrë të barabartë dhe qytetarët të ndihen të sigurtë për t’i marrë këto shërbime, sidomos në luftimin me Covid-19. Ky interes është human, është përtej asaj që ne e karakterizojmë si pjesë të politikës”, ka thënë Zemaj.

Ditë më parë, kryeministrja e Serbisë ka njoftuar se do të ndërtojë një spital në Mitrovicën e Veriut, i pyetur se kur do të mund të ndodhë një gjë e tillë edhe në Bujanovc, meqë qytetarët nuk po ndjehen të sigurtë të marrin shërbimet nga qeveria e Beogradit, ministri Zemaj tha se prezenca e tij në këtë vend duhet të sigurojë qytetarët.

“Prezenca ime edhe takimi me gjithë liderët shqiptarë tregon që nuk duhet të kemi frikë dhe ta heqim frikën në marrjen e shërbimeve. Kosova po punon dhe Ministria e Shëndetësisë në zgjerimin e kapaciteteve testuese në gjithë në gjithë rajonet e Kosovës. Atë që mund të ofrojmë për të gjithë qytetarët të mundohemi edhe për qytetarët e luginës Preshevës. Ndërsa për deklaratat tjera unë nuk jam i thirrur të deklarojë”.

Zemaj tha se është njoftuar nga kryetari që këtu ka pasur mungesë të specializantëve, dhe se së shpejti sipas tij do të punohet në ndarjen e mjeteve mbrojtëse për luginën.