Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje pas takimit të tij me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçák dhe Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në kumtesën e Qeverisë thuhet se Kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai, në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatueshmërisë së tyre.

Në kumtesë thuhet se Kurti në takim tha se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur sepse është i domosdoshëm.

Ndërsa për dialogun tha se duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.